Kurti: Korrigjimi i gabimit të Borrell është i domosdoshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me takimin e djeshëm në Bruksel dhe me vendimin për shtyrje për 48 orë të fillimit të shqiptimit të gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale.

Kurti ka thënë se që nga takimi i fundit në kuadër të bisedimeve që kanë pasur dje, nuk ka komunikuar me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

“Që prej se përfundoi takimi i fundit në kuadër të bisedimeve 8 orëshe që kemi pasur dje, unë nuk kam komunikuar me Borrell, i cili me keqardhje ritheksoj, e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-së duke thënë ‘le të kemi një dakordim për targat’”- ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se korrigjimi i gabimit të Borrell është i domosdoshëm.

“Jemi optimist dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrell është i domosdoshëm. Ai është gabim i madh që të braktiset biseda për  normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë dhe unë si kryeministër i Kosovës të flasim e të dakordohemi veçse për targat për të cilën dorën në zemër as ai në Serbi e as unë në Kosovë nuk jemi personat më kompetentë” – është shprehur Kurti.

“Kosova ka Polici, ka ministër të Punëve të Brendshme, organe të sigurisë që i dinë shumë më mirë e në hollësi këto gjëra”- shtoi ai.

Takimi i djeshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Në një prnoncim për media, Borrell ka thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

“Unë do të informoj Shtetet Anëtare të BE-së, ministrat e jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ” – tha Borrell.

Borrell  tha se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim dje i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.

Ai ka theksuar se dje BE-ja ka propozuar që Kosova të vazhdojë me qortime, ndërsa Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.