Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media, 29.11.2024 | Foto: ZKM
Kurti konfirmon se ka arrestime lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit
Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.
Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com janë intervistuar nga Policia më shumë se pesë persona në lidhje me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Kurti shtoi se nga çfarë ka parë në vendin e ngjarjes nuk ka mundësi që sulmi të jetë bërë nga një a dy individë, por nga një organizatë profesioniste.
“Ky ishte sulmi i tretë, kishte edhe dy sulme të tjera në 72 orët e fundit. Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pash në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarë të zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulmet të tilla. Profesioniste dhe që ka aftësinë, kapacitetin dhe interesin për një gjë të tillë e ka veç Serbia” – tha ai.
Shefi i Qeverisë ka bërë sërish ndërlidhjen e këtij sulmi me sulmet ruse në Ukrainë duke thënë se gjatë kësaj jave ka pasur sulme të mëdha me mbi 200 raketa në infrastrukturën kritike, veçanërisht në kapacitetet energjetike në Ukrainë.
“…që kanë bërë që mbi 1 milion amvisëri në Ukrainë të mbeten pa energji elektrike. Përveç kësaj është bërë edhe ajo që në literaturë të mbrojtjes quhet luftë kinetike, sepse po synohet dëmtimi i infrastrukturës kritike, ku dëmi është maksimal” – shtoi ai.
“Policia në Kosovë nuk është kundër serbëve. Por Serbia është kundër Kosovës dhe ajo financon, orkestron, mbështet, dirigjon grupe të tilla kriminale që i ka në listë të rrogave dhe në organogram të pushtetit, prandaj e bëjmë fajtor Serbinë” – shtoi Kurti.
Heshtjen e deritanishme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai e quajti të parastësishme, pasi që sipas tij, Vuçiq pret të dijë sa është dëmi për të ditur çfarë episodesh tjera të organizojë.
Deklarata e kryeministrit Kurti, pamjet: RTV Dukagjini:
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit