
Kurti: Komuniteti egjiptian në Kosovë jep kontribut të jashtëzakonshëm për vendin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Pejën ku është takuar me mbështetës e bashkëpunëtorë të subjektit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës, në krye të së cilës është ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe pjesëtar të komunitetin egjiptian, e që Kurti tha se bashkë me IRDK-në kanë qeverisur në këtë mandat, duke garantuar që ky komunitet të jetë i përfaqësuar në institucione dhe në role vendimmarrëse.
Sipas Kurtit, pjesëtarët e këtij komuniteti kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në progresin dhe zhvillimin e vendit.
“Për komunitetet joshumicë kemi ndarë grante për fermerë, zbatuar projekte që kanë rritur punësimin, kemi rindërtuar e rinovuar shtëpi, kemi ndarë mjete për arsim, subvencionuar energjinë, përkrahur të rinjtë, mbështetur familjet, investuar në infrastrukturë e kulturë, për ta bërë ndryshimin e prekshëm në çdo sferë të jetës e për çdo qytetar pa dallim” – tha i pari i Qeverisë së Kosovës.
Shefi i ekzekutivit shtoi se me IRDK-në dhe me ministrin Krasniqi, bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer dhe angazhimi i frytshëm e rezultativ në shërbim të qytetarëve dhe posaçërisht komunitetit egjiptian.
Ai shtoi se do të vazhdojnë drejt punëve të mbara e sukseseve të përbashkëta.