Foto: ZKM

Kurti - komisionerit Varhelyi: Zhvillimet e fundit e bëjnë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në takimin me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver  Varhelyi, ka thënë se zhvillimet e fundit e bëjnë më të qartë nevojën për angazhim më të madh në Kosovë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, para se të diskutonin për projektet në fushën e energjisë dhe infrastrukturës dhe financimin e tyre, kryeministri Kurti tha se zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e kanë bërë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën në kuptim të bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian.

Në këtë takim, i cili është mbajtur në kuadër të Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryeministri Kurti ka folur edhe për projektet infrastrukturore.

“Sa i përket projekteve infrastrukturore dhe vlerës së tyre të lidhshmërisë, kryeministri Kurti veçoi autostradën Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe atë për në Leshak”, thuhet në komunikatë.

“Ndërkaq në lidhje me energjinë kryeministri Kurti ka folur për punën në hartimin e Strategjisë për Energji, synimet për tranzicion të drejt energjetik, planet për ngritjen e kapaciteteve prodhuese nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, dhe projektet për rritjen e efiçiencës energjetike”, thekson komunikata.

Po ashtu në komunikatë bëhet e ditur se në takim është folur edhe për reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut si dhe për veprimet e fundit të Qeverisë në shërbim të krijimit të një sistemi dual të edukimit që lidh tregun e punës me sistemin e arsimit.

Komisioneri  Varhelyi, sipas komunikatës, i ka dhënë mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fusha dhe projekte të përbashkëta.