Xhelal Sveçla - Foto: Facebook

Kurti komenton takimin e Sveçlës me Gjuriqin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar fotografinë e shumëpërfolur të Xhelal Sveçlës në tavolinë me Marko Gjuriqin.

Fotografia që kishte qarkulluar të dielën ishte kritikuar shumë duke i përmendur anëtarit të LVV-së kritikat e tij për takimet e politikanëve të tjerë me zyrtarë të Serbisë.

Vetë Sveçla kishte thënë se kundërshtarët e LVV-së kanë shpërndarë fotografinë.

Kurti në një intervistë në “Jeta në Kosovë”, nuk e konsideroi gabim këtë takim.

“Çdo kund marrim pjesë edhe aktivistët e Vetëvendosjes ulen ku do që ju thotë organizatori. Unë mendoj që kish me qenë gabim të mos shkonte aty. Në kohën kur zhvilloheshin dialogjet për Zajednicën e të tjera, në atë kontekst ato takime marrin kuptimin e koncesioneve por nëse shkon një zyrtar i Kosovës  dhe paraqet qëndrimin e vet që e mbron shtetësinë unë mendoj që nuk është mirë të mos jesh”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithëse ka pasur takime në mes liderëve deri më tani nuk është arritur marrëveshje për koalicion.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë: