Albin Kurti - FOTO KALLXO

Shkarkimet në Telekom, Kurti komenton vendimet e Inspektoratit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti është deklaruar rreth vendimeve të Inspektoratit të Punës që të kthehen në punë ish-Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi dhe ish-Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Kurti ka thënë se beson që të njëjtit nuk do të kthehen në vendet paraprake të punës.

“Janë bordet qe i kanë marrë vendimet, qeveria ka vendosur për bordet por jo për menaxhmentet , bordet do ta thonë fjalën e tyre, por unë besoj që nuk do të kthehen”, tha Kurti në konferencë për media.

Inspektorati i Punës ka nxjerrë vendimin i cili obligon Telekomin e Kosovës ta anulojë shkarkimin e ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se nëse vendimi i Inspektorit të Punës nuk respektohet nga Telekomi i Kosovës, ky organ mund ta padisë ndërmarrjen publike.

Inspektorati i Punës ka marrë vendim që ta kthejë në punë ish-kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçin.

Ky i fundit ishte shkarkuar nga bordi i përkohshëm i KEK-ut më 24 prill të këtij viti.

Inspektorati i Punës i ka kërkuar bordit të përkohshëm që ta anulojë vendimin për shkarkimin e Thaçit nga pozita e kryshefit.