Kurti komenton 'gatishmërinë' e Erdoganit të ofrojë mbështetje në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se Kosova nuk është temë por palë.

Këtë deklaratë Kurti e bëri pasi u pyet nga gazetarët se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në dialog Kosovën e Serbinë gjatë vizitës që kishte në Serbi.

“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik, e aleat dhe Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO. Por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë tash Kosova nuk është aty temë por është palë, bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.

Ai ka përmendur se nesër në Kosovë do të jetë Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak i cili do të shoqërohet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman.

“Nesër do të vijnë përfaqësuesit special nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësuesin Lajçak por natyrisht ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, shtoi Kurti.

President turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia është e gatshme që të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që mundet për të arritur një zgjidhje në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.

Këtë e ka thënë Erdogani të mërkurën në një konferencë të përbashkët me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton media serbe Tanjug.

Erdogan ka theksuar se shpreson që në të ardhmen e afërt do të arrihet një marrëveshje për targat me Kosovën.

Erdogan ‘i gatshëm’ të ofrojë mbështetje në vendosjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi