Kurti: Koha që i kemi dhënë KFOR-it për të vepruar për barrikadat po shteron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me vendosjen e barrikadave në veri të vendit, veprime të cilat ai i ka quajtur të papranueshme dhe të paligjshme e për të cilat ka thënë se nuk do të tolerohen.

Kurti tha se në përputhje me vlerësimet e sigurisë i kanë dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por siç tha ai “kjo kohë po shteron me shpejtësi”.

“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranuëshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne kemi dhënë kohën dhe hapsirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar por, sigurisht që kjo kohë po shterrron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast duhet kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë” – tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë së Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar zbatimin e ligjit dhe duke cenuar sigurinë e vendit.

“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë së Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar zbatimin e ligjit duke cenuar sigurinë e vendit. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit dhe cenimin e integritetit territorial  të republikës sonë” – deklaroi ai.

Më tej kreu i ekzekutivit theksoi se institucionet nuk do të bisedojnë me kriminelë por do t’i arrestojnë.

“Insititucionet tona nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelë por do t’i arrestojnë ata. Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetuta e Kosovës” – shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka përsëritur se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave në veri derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ripërsëritur se Kosova i ka kapacitetet për largimin e këtyre barrikadave.

Barrikadat janë shtuar dita ditës, derisa më 27 dhjetor janë vendosur edhe dy barrikada të reja, njëra te udhëkryqi i shkollës teknike afër “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe tjetra te “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Dje është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdarë, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

“Pikë Kalimi Kufitar në Merdare është i mbyllur për Hyrje-Dalje për faktin se në Republiken e Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga Kufiri në Merdare. Deri në njoftim tjetër PKK Merdare do jetë e mbyllur. Të shfrytëzohen Pikë Kalimet Kufitare tjera!”- thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Ky është pikëkalimi i tretë kufitar me Serbinë, i cili është bllokuar për qarkullim që nga 10 dhjetori, kur edhe ka filluar vendosja e barrikadave të para në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Pantiq është i akuzuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut më 6 dhjetor.