Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Këtë vit u regjistruan më pak se 200 vetura me traga ilegale, të tjerat janë të vjetra dhe u del regjistrimi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur lidhur me çështjen e targave ilegale në veri të Kosovës, të cilat pas marrëveshjes të arritur dje në Bruksel nuk do të lëshohen më në Serbi.

Kurti tha se në katër komunat në veri janë më pak se 200 targa ilegale që janë regjistruar këtë vit, të tjerat janë të vjetra dhe ju del regjistrimi.

“Tash nuk lëshohen targa atje në veri dhe është shumë mirë sepse këtyre këtu ju del regjistrimi, janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serbë që i kanë tabelat ilegale KM, PR, DJ e të tjera që janë regjistruar sivjet. Krejt janë më të vjetra se sivjet, atyre krejt ka me ju dal regjistrimi. S’ka më regjistrim” – tha Kurti.

“Po, bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë veriun dhe po bëhet fjalë edhe për një pjesë të Serbisë për qendrën e regjistrimit të automjeteve në Rashkë. Nuk kemi cenua kurrfarë substance” – shtoi tutje ai.

Kurti nuk tregoi nëse pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund zgjasin vlefshmërinë e këtyre targave.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq,  pas marrëveshjes së arritur mbrëmë, ka thënë se pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat. Por, sidoqoftë, në tre vjetët e fundit targa të reja KM nuk janë lëshuar”, ka thënë Petkoviq.

Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.