Foto: ZKM

Kurti: Këshilli i sigurisë nuk e regjistroi transkriptin e mbledhjes

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se në mbledhjen e 17 marsit, kur u mbajtë mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, nuk ka pasur fare hardisk të regjistrimit të transkriptit.

Kurti para disa orëve kishte përmendur më herët në seancë se ekziston hardisku, ndërsa para pak minutave deklaroi se nuk është regjistruar fare.

“Më 17 mars u mbajtë Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe tash po më njoftojnë që hardisku nuk e paska regjistruar transkriptin fare. S’po ekzistoja fare transkripti. Pse po ndodhë kjo? Kjo po ndodhë për shkak se Kosova po vazhdon me qenë shtet i kapur. Ka ndryshuar vetëm Qeveria, nuk ka ndryshuar prokuroria, gjyqësori, arsimi, ekonomia e as shëndetësia”, tha Kurti para deputetëve.

Sipas tij, ky fakt flet shumë.

“Vet fakti që zëvendëskryeministri kontaktoi me Këshillin e Sigurisë dhe ata deklarojnë se hardisku se përmbanë atë mbledhje, kjo flet shumë. Unë deklarova se ka pasë tentim-puçi atë natë, e sot marrë vesh se s’ka transkript”, shtoi ai.

KALLXO.com para disa javësh raportoi ekskluzivisht se Këshilli i Sigurisë së Kosovës kishte ndëruar mënyrën e hartimit të raporteve për kryeministrin.

Njeriu që e raporton kryeministrin në lidhje më sigurinë dhe e pajisë me informata është person që e ka pranuar se është simpatizant i PDK-së.

Vetëm 1 ditë pasi që Albin Kurti ishte bërë kryeministër, Drejtori i Qendrës së Situatave në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, Shaqir Shaqiri u kishte kërkuar zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni që të ndërrojnë mënyrën e dhënies së informatave për kryesuesin e këshillit, që është kryeministri i vendit.

Shaqir Shaqiri deri para rreth 3 muajve ka pasur pozitë tjetër brenda Qeverisë.

 

Albin Kurtit i ndryshohet forma e raportit për sigurinë në vend vetëm katër ditë para se të vinte në pushtet

KALLXO.com kishte zbuluar se Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk është duke i marrë raportet e Këshillit të Sigurisë në të njëjtën formë si i merrte paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj.

Albin Kurtit i ndryshohet forma e raportit për sigurinë në vend vetëm katër ditë para se të vinte në pushtet

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, presidenti Thaçi kishte propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës me virusin COVID-19.

Ky propozim i Thaçit nuk u pranua nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa ishte pranuar nga partneri i Kurtit, Isa Mustafa.