Kurti kërkon unitet në politikën e jashtme të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shteti i Kosovës duhet të ketë unitet të përfaqësuesve, sa i përket politikës së jashtme.

Ai këtë e tha gjatë fjalimit të tij në ceremoninë solemne të FSK-së, për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kurti deklaroi se nuk mund të ketë të emëruar të popullit, të cilët minojnë njëri-tjetrin.

“Fuqia qëndron te populli, populli është burim i sovrantitetit, i cili me votë tregon se kush duhet të flasë në emër të tij. Ne e dobësojmë shtetin tonë, sa herë e vendosim veten para interesave të popullit, e ndryshe nga çka voton populli”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti shprehi mendimin e tij, se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë unike, përkundër dallimeve që ekzistojnë.

“Si përfaqësues të shtetit, ne duhet të jemi unik në politikën e jashtme, unë do të kërkoj këtë unitet përkudnër dallimeve që kemi. Dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda. Ne do të punojmë shumë dhe pa u ndalur që të forcojmë shtetin edhe nga brenda edhe nga jashtë, prandaj edhe kemi zgjedhur që të rrisim investimet në FSK, ta rrisim forcën dhe sigurinë e vendit tonë”, deklaroi
Kurti.

Ai foli para ushtarëve të FSK-së, duke thënë se uniforma që ata bartin është mishërim i sakrificës kombëtare dhe i krenarisë së aspiratave qytetare e njerëzore.

“Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pa mbrojtur. Prandaj, ne mburremi me shërbimin tuaj. Sakrifica që ju bëni dhe trajnimet që ju kaloni, janë të vështira. Por qëllimi që ju keni është fisnik. Çdo mëngjes ju zgjoheni herët kur të tjerët flenë, rregulloni shtratin, pastroni dhomat, shkëlqeni këpucët e stërviteni me orë të tëra në diellin përvlues, në acarin e dimrit, në shi e në baltë”, tha ndër tjera Kurti, para ushtarëve.