Albin Kurti në takim me shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali. Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti kërkon që Greqia ta njoh pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka pritur në takim njoftues shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Në këtë takim thuhet se Kurti ka kërkuar nga Greqia t’ju bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa, thuhet se Ambasadorja Vakali ka theksuar se ndonëse Greqia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka arritur të zhvillojë marrëdhënie bilaterale pa kurrfarë problemi.

Në njoftim është thënë se Vakali është shprehur e nderuar për detyrën që ka marrë dhe se Greqia është mike e sinqertë dhe e fuqishme e Kosovës.

Madje, ajo thuhet se është e impresionuar me potencialin e madh që ka Kosova dhe mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunimin bilateral.

“Ambasadorja e vlerësoi angazhimin e qeverisë për vlera demokratike dhe për rezultatet në luftimin e korrupsionit”, është thënë ndër të tjera.

Në anën tjetër, shefi i qeverisë thuhet se i ka dëshiruar mirëseardhje Vakali dhe ka theksuar para saj marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.

Krejt në fund thuhet se Kurti dhe ambasadorja Vakali u pajtuan që duhet të vazhdojnë projektet e përbashkëta në arsim e kulturë dhe në organizimin e radhës të forumit ekonomik.

Greqia është në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur ende as Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.