Foto: Zyra e Kryeministrit
Kurti kërkon që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takimin e mbajtur në Kotor më 16 maj, Kosova ka kërkuar që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Europian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar.
Sipas tij, kjo kërkesë u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor.
Një gjë të tillë, Kurti e ka ripërsëritur gjatë një mëngjesi pune me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Rezidencën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin, ishin temë e diskutimit, njofton Zyra e Kryeministrit.
Ndër tjera, Kurti gjatë takimit ka rikujtuar rëndësinë që ka fillimi zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës.
Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Autoriteti Kundër Pastrimit të Parave dhe Kundër Financimit të Terrorizmit (AMLA) do të jetë një agjenci e decentralizuar e BE-së që do të koordinojë autoritetet kombëtare për të siguruar zbatimin korrekt dhe të qëndrueshëm të rregullave të BE-së.
Synimi i Autoritetit të BE-së do të jetë transformimi i mbikëqyrjes kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit (AML/CFT) në BE si dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet njësive të inteligjencës financiare (FIU).
Përgjegjësitë kryesore të AMLA do të përfshijnë: mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të subjekteve të përzgjedhura të sektorit financiar që operojnë në baza ndërkufitare dhe paraqesin rrezik të lartë të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe mbikëqyrjen indirekte të subjekteve të tjera në sektorin financiar dhe jofinanciar; mbështetjen dhe koordinimin e Njësive të Inteligjencës Financiare (FIU) duke lehtësuar analizat e përbashkëta të rasteve ndërkufitare, duke mundësuar shkëmbimin e kontrolluar të informacionit, ofrimin e aftësive, analizat e avancuara të të dhënave dhe menaxhimin e sistemit të përbashkët të informacionit FIU.net; si dhe plotësimin e rregullave të BE-së për LPP/LFT duke zhvilluar standarde rregullatore dhe zbatuese teknike dhe duke nxjerrë udhëzime.
Selia e AMLA do të jetë në Frankfurt, Gjermani.