Foto: ZKM

Kurti kërkon përkrahjen e Greqisë për integrimin e Kosovës në organizata rajonale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, ku edhe ka kërkuar përkrahje nga Greqia për integrimin e mëtutjeshëm të Kosovës në organizata rajonale.

Gjatë takimit është biseduar për perspektivën evropiane dhe është potencuar nevoja për liberalizim të vizave për Kosovën, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve rajonale dhe ndikimit politik dhe ekonomik të luftës në Ukrainë.

“U dakorduan për domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të përbashkëta sanksionuese ndaj Rusisë, si dhe përfshirjen e të gjithëve pa përjashtim në ndihmë Ukrainës, për të përballuar agresionin rus”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se u theksua nevoja për rritjen e angazhimit për zvogëlimin e ndikimit nga aktorë të tretë në rajon si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkuar në Greqi për të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë gjatë qëndrimit të tij atje, Kurti do të zhvillojë takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm.

Tutje sipas komunikatës, kjo tryezë, e 26-ta me radhë, organizohet nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.