Kryeministri Albin Kurti, 14 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti kërkon nesër seancë të jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që të nxjerrë një rezolutë të  përbashkët, në të cilën do të shprehet vullneti politik i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë, në Kosovë.

Siç njofton Qeveria, kryeministri Kurti i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që nesër me 15 janar 2022 në ora 14:00, të caktohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerr një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjatë ditës së sotme pati zhvillime në politikën kosovare, ku ambasadorët e QUINT-it i takuan krerët e shtetit, duke iu kërkuar që të lejojnë që të mbahet referendumi i Serbisë edhe në territorin e Kosovës.

Këtë, njëzëri e kundërshtuan kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke thënë se kjo përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Mbajtjen e referendumit e kundërshtuan edhe partitë opozitare në vend, ku krerët e partive në deklarata të ndara thanë se është antikushtetuese dhe shkel sovranitetin e shtetit të Kosovës.