Kurti kërkon mbështjetjen e Austrisë në zhvillimin e sistemit dual të edukimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim një delegacion nga Austria, të cilit i prinin deputetët nga Partia Popullore e Austrisë, Martin Engelberg dhe Carmen Jeitler-Cincelli, njëherësh kryetare e Grupit parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, deputetët u interesuan për situatën me pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonomi, dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.

Ndërkaq, Kurti thuhet se u shpreh falënderues për ndihmën që Austria i ka dhënë ndër vite popullit të Kosovës dhe për rëndësinë që ka për vendin intensifikimi i bashkëpunimit sidomos në fushën e arsimit.

Ai tha se punësimi dhe reformat në drejtësi kanë qenë premtim i fushatës zgjedhore.

“Për të krijuar vende pune ne na duhen investime, tha kryeministri dhe shprehu shpresën se Austria si investitori i katërt më i madh do të vazhdojë investimet në Kosovë, së bashku me mërgatën kosovare në Austri. Në veçanti, kryeministri kërkoi mbështetjen austriake në zhvillimin e sistemit dual të edukimit”, thuhet në kumtesë.