Kurti kërkon koordinim me Thaçin për politikën e jashtme

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi për kandidimin e tij prapë për president vitin e ardhshëm.

Pas homazheve në hollin e Teatrit Kombëtar pas vdekjes së bilbilit kosovar Nexhmie Pagarusha, Kurti iu përgjigj gazetarëve në lidhje edhe me këtë çështje.

Ai kërkoi që të ketë një koordinim me presidentin për politikë të jashtme, duke treguar se përkushtimi i tij nuk do të jetë se kush do të jetë president i ardhshëm.

“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, tha Kurti.

Gjatë ditës së djeshme në një emision, Thaçi kishte thënë se nëse do të ketë ndryshime kushtetuese që Presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit ai do të ri-kandidoj prapë dhe do të zgjidhet, duke u treguar i bindur për këtë gjë.

Ai madje tha se nëse partitë duan ta ndryshojnë kushtetutën, ai do të ri-zgjidhej prapë president.

Kujtojmë se në takimet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje para se të bëhej koalicioni, rëndësi të veçantë kishte edhe posti i presidentit, gjë që kishte shkaktuar edhe vonesë në bërjen e koalicionit.

“Presidenti 2021”, pika e nxehtë e negociatave LVV – LDK