Foto: ZKM/17.01.2022

Kurti kërkon falje për gabimin lidhur me Besarta Jasharin

Në akademinë përkujtimore të 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti  e nisi fjalimin me një kërkim falje.

Kjo pasi ai gjatë fjalimit të djeshëm të mbajtur në Kuvend e kishte ngatërruar Besarta Jasharin, për të cilën kishte thënë se është e bija e kryekomandantit Adem Jashari.

Në fakt, Besarta Jashari është mbesa e Adem Jasharit dhe vajza e heroit Hamëz Jashari.

“E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandantit Adem Jasharit – Besarta”, kishte thënë kryeministri Kurti.

Në anën tjetër ai sot kërkoi falje për gabim.

“Më lejoni fillimisht të kërkoj falje që në tekstin e fjalimit të djeshëm në Kuvendin e Republikës më është përvjedhur një gabim dhe kam thënë që Besarta është vajza e kryekomamdantit Adem Jasharit në vend se të them e Hamzë Jasharit”, ka thënë Kurti.

Ai ka vazhduar duke thënë se kjo i ka ndodhur pasi shumë shpesh i ngjan se të gjithë ata që janë gjallë janë fëmijë të kryekomandantit Adem Jashari dhe të nënës së tij heroinë.

“Mirëpo shtrohet pyetja pse nuk e vërejta këtë gabim derisa e lexova tekstin, ka mundësi se kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan se të gjithë ne që jemi gjallë jemi fëmijë të kryekomandantit Adem Jashari dhe të nënës së tij heroinë”, është shprehur Kryeministri.

Huqja e kryeministrit Kurti, për Besarta Jasharin thotë se është vajza e Adem Jasharit