Kurti: Kemi dallime në qasje me ShBA-në por assesi dallime thelbësore e vendimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur për zhvillimet në veri dhe qasjen e ShBA-së karshi vendimeve të institucioneve të Kosovës, tha se ka një dallim në qasje, por assesi në gjërat vendimtare.

“Ka raste kur na dallojnë nga pak qasjet mirëpo këto nuk janë gjëra të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare, sot në ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve të çlirohet edhe republika jonë demokratike por edhe komuniteti serb dhe për këtë e kemi mbështetjen e SHBA-ve” – tha kryeministri Kurti

Kurti foli është për kërkesën e SHBA-ve për largimin e policisë së Kosovës nga ndërtesat në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë për të cilin tha se ka vetëm një alternativë, e ajo është pasi që të largohen bandat.

“Unë mund ta paramendoj zvogëlimin e policisë së Kosovës, atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizimit e shovinizmit të djathë ekstrem të cilët e adhurojnë Millosheviqin e Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’ çojmë në burg. Nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë ndërtesat nga banda të tilla. Kur ato të mbyllen ne mund ta zvogëlojmë” – tha ai.

Që nga e hëna në veri janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të ri në ndërtesat e komunave veriore.

SHBA ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që kryetarët e zgjedhur të punojnë nga objekte alternative dhe policia e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat.

Madje SHBA ka aplikuar edhe sanksione duke përjashtuar FSK-në nga Defender 23 për mosdëgjimin e kërkesës së tyre nga qeveria kosovare.

Të hënën, protestuesit e mbledhur në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it ku kanë lënduar 30 prej tyre.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot në veri të vendit.

Zhvillimet në veri – Vazhdojnë protestat