Kurti: Kemi 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë për komunat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot gjatë ditës disa kryetarë e nënkryetarë të komunave të Kosovës, të cilët në sesionin e dytë të takimit me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës ka thënë se ka rritje në buxhetin e ndarë për nivelin komunal.

Sipas Kurtit, ky buxhet është rritur për 255.2 milionë euro më shumë.

Ai këtë e përmendi gjatë kohës kur ishte duke folur për angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nivelit komunal me qëllim të rritjes se mirëqenies së qytetarëve.

Madje, sipas kryeministrit, si rezultat i rritjes të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32%.

“Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ”, thuhet se ka thënë Kurti në këtë takim.

Ai ndër të tjera ka folur edhe për mbrojtjen e parasë publike, të cilën e ka cilësuar parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike.

Sipas shefit ekzekutiv kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili thuhet se ka folur për ridizajnimin e kornizës ligjore për financat publike që ka për qëllim që të sigurohet menaxhim më i mirë dhe më i përgjegjshëm i parasë publike.