Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media 24.12.2024 | Foto: KALLXO.com

Kurti këmbëngul që të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Kryeministri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë më 24.12.2024 se nuk ka hequr dorë nga qëndrimi në lidhje me intervistimin e tij nga Prokuroria Speciale.

Kurti tha se intervistimi në zyrën e tij është një praktikë që ka ndodhur edhe gjatë viteve të kaluara.

Kryeministri tha se është i gatshëm, i hapur dhe i interesuar për të dhënë dëshminë e tij.

“Ekziston komunikimi përmes Prokurorisë dhe Kryeministrisë. Nuk mund të merrem paradite e pasdite me këtë çështje. Do të merrem me këtë kur të vijnë në Kryeministri të më intervistojnë si dëshmitar”- u përgjigj Kurti.

Ai tha se Prokuroria e di shumë mirë se për çfarë raste bëhen fjalë sepse ka pasur raste në të kaluarën kur nga Prokuroria e Shtetit kanë intervistuar kryeministra në Qeverinë e Kosovës dhe se sipas tij, “nuk duhet të dalim nga kjo praktikë”.

Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit, Albin Kurti, për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkaq, kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese, duke ritheksuar gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij për intervistim.

“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë, në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare të tjera për javën tjetër.” – ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se presin një përgjigje pozitive “meqë – sipas praktikës – kjo nuk do të ishte hera e parë që një Kryeministër intervistohet brenda Zyrës së tij dhe i mirëpresim në Kryeministri”.

Ndonëse, ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur me arsyetimin se ‘Kryeministri është në vizitë jashtë vendit’.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para medieve kishte thënë që Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.

Ndërkohë, më 15.12.2024, kryeministri Kurti, rreth orës 23:45, kishte publikuar fotografi në rrjetin social Facebook, se ishte në një program të Filharmonisë së Sllovenisë, në Lubjanë.

Kurti kishte shprehur gatishmërinë për t’i pritur prokurorët e rastit në Zyrën e Kryeministrit.

Kryeministri Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit – të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore, ku të pandehur  janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar, më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.