Kurti: KEK-u ka nevojë për investime të duhura dhe menaxhim të mirë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomike duke qenë se energjia është epiqendra e zhvillimit ekonomik.

Këto deklarata Kurti i tha gjatë vizitës së tij në KEK së bashku me Ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, zv. Ministrin e saj Edison Jakurti dhe ish drejtorin e Trepçës dhe ish kryesuesin e bordit të KOSTT, Nazmi Mikullovci vizituan sot Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK).

Në këtë vizitë, Kurti dhe Ministrja Rozeta u pritën dhe u përcollën nga u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv, Luigj Imeri, anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, anëtarë të Menaxhmentit të KEK-ut dhe përfaqësuesit e punëtorëve.

“Në këtë vizitë u përfshinë vizitat në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova – B. Aty, Kryeministri në detyrë u informua mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatë pandemie. Sipas u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv, z. Luigj Imeri, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e Qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Corona, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve. Megjithatë, prodhimi nuk është ndaluar e as nuk ka munguar, ashtu që furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë i rregullt”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu njoftimi thotë edhe se punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës, si dhe kanë respektuar udhëzimet përkatëse.

“Për të dhe Qeverinë në detyrë KEK-u ka rëndësi të trefishtë; (i) është pasuri natyrore, (ii) kapacitet prodhues dhe (iii) organizatë e punëtorëve. Ai shprehu mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar ashtu që rritet dhe stabilizohet prodhimi dhe të përmirësohen kushtet e punës në këtë ndërmarrje. KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu Kurti sipas njoftimit të ZKM-së, ka uruar për pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës pas votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.

“Kjo marrëveshje e largon Kosovën nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe e bashkon Kosovën me bllokun rregullues Kosovë-Shqipëri, dhe si rezultat mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si e tillë, ajo do të jetë ndihmë për gjenerim me të madh përveç se furnizim më të mirë me energji elektrike”, thuhet në fund të njoftimit.

Kujtojmë që javën e kaluar, Qeveria Kurti shkarkoi kushëririn e Presidentit Thaçi nga pozita e Drejtorit të KEK-ut, Njiazi Thaqi.  Shkarkimin e tij Thaqi e përshkruajti politike.

Në vend të tij, u caktua Luigj Imeri.