Foto: ZKM
Kurti: Kanë filluar përgatitjet për gërmime në Kozhle të Serbisë në kërkim të të zhdukurve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se këtë javë kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka thënë se deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhëna nga arkivat për ketë lokacion.
“Ketë javë kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin në Kozhle mes Novi Pazarit e Tutinit në Serbi. Deri me tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat për ketë lokacion. Përsërisim kërkesën tonë për hapje të arkivave në Serbi. Kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkives së Brigadës 37 të ushtrisë jugosllave përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”- ka thënë Kurti.
Këto deklarata, ai i bëri më 29.08.2024, në një diskutim të dedikuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.
Kurti ka deklaruar se strategjia e shtetit serb ka qenë “nuk ka kufomë, nuk ka krim”. Sipas tij, kjo strategji po vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarit e Millosheviqit në Beograd.
Shefi i ekzekutivit theksoi se nevojitet mobilizim kombëtar e mbështetje e ndërkombëtarëve që kriminelët të mbahen përgjegjës.
“Sipas të dhënave të komisionit tonë qeveritar janë rreth 13 lokacione brenda territorit të Kosovës të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues”- ka thënë ai.
Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, përderisa familjarët janë ende në pritje të zbardhjes së fatit të tyre.
Më 2 maj 2023, pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Europian e ka publikuar përmbajtjen e kësaj deklarate ku thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.