Kurti: Kam qenë i bindur që nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikane

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka thënë se ka qenë i bindur që nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikane nga Kosova, si rezultat i mos heqjes së tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

I pyetur nga gazetarja Jeta Xharra se a ka pasur deklarim ‘eksplicit’ që do të tërheqen trupat, Kurti tha se ka pasur ‘dinamika’ të tilla.

“Kaq eksplicite jo, por ka pasur dinamika të tilla, mirëpo kam qenë gjithmonë i bindur, sepse nuk jam në politike prej dje, se nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikane, sepse SHBA-të nuk kanë ardhur këtu që ta heqin tarifën ndaj Serbisë dhe në anën tjetër MCC-ja është e vërtetë që na ka ndihmuar, por ato 200 milionë të premtuar duhet t’i marrim me rezervë sepse janë shumë dhe shumë konkrete për të qenë të menjëhershme”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i ftuar sonte përballë Jeta Xharres për të biseduar mbi situatën politike dhe menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Qeveria LVV-LDK ra më 25 mars pas një mocioni i inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti udhëhoqi ekzekutivin kosovar 51 ditë. Qeveria e Kurtit është qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.