Kurti: Kam propozuar modelin e ri të dialogut me Serbinë, me dy ekipe

Kryeministri Albin Kurti, gjatë konferencës për media, ndër të tjera tha se në një bisedë telefonike me Josep Borrell, e ka njoftuar për një model të ri të dialogut, me dy ekipe.

Sipas Kurtit një ekip do të përbëhet nga ai si kryeministër, presidenti i vendit, kryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuesit e partive parlamentare.

“Ekipi politik përfaqësues do t’i kishte 10 anëtarë. 9 anëtarë të tjerë, përveç kryeministrit kryesues. Do të ishte presidenti Thaçi , kryetarja e kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani. Dhe nga një përfaqësues i partive të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Unë, presidenti, kryetarja e Kuvendit  dhe shtatë të tjerë”, tha Kurti.

Ndërsa ekipi tjetër sipas Kurtit, do të jetë ekip këshillues dhe profesional, me spektër të fushave të ndryshme.

“Sa i përket tarifës unë kam shprehur qëndrimin tim që besoj se edhe kësaj dite është më i miri dhe i drejti dhe më i dobishmi. E ky është zëvendësimi gradual i tarifës, me reciprocitet me ç’rast ne do të bënim hapin e parë dhe të vazhdojmë më pas me të tjerat duke parë reagimin e palës tjetër”, deklaroi Kurti.