Kurti ka pritur në takim përfaqësues të shoqatës së bizneseve në Itali ‘Confindustria’
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësues të shoqatës kryesore të bizneseve në Itali, Confindustria, e cila ka anëtarë mbi 150 mijë kompani të prodhimit dhe shërbimit dhe që punësojnë mbi 5.4 milionë persona.
Siç bëhet e ditur në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, duke i falënderuar për interesimin dhe vizitën, Kurti i ka ftuar ata dhe partnerët e tyre që të eksplorojnë mundësitë që Kosova ofron.
“Stabiliteti institucional, mjedisi i përshtatshëm për biznes, politikat e qëndrueshme makroekonomike, zhvillimi ekonomik, progresi demokratik, sundimi i ligjit, gjykata komerciale, fuqia punëtore profesionale dhe e talentuar, pozita e përshtatshme gjeografike dhe një ekonomi e orientuar nga eksportit, ishin disa nga tiparet dhe përparësitë për investime dhe investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti”- thuhet në komunikatë.
Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i stafit të Kurtit, Luan Dalipi, ambasadori i Italisë në Kosovës, Antonello De RiU, Muharrem Salihu, biznesmen italiano-shqiptar me prejardhje nga Medvegja, Silvano Martinotti, përfaqësues i Confindustria për mjedis dhe sport, Valentina Lazzarini, Presidente e kompanisë Fidoimpresa S.P.A që bashkëpunon me Confidustria dhe Daniela De Giorgi, Drejtuese e Zyrës për Tregti në ambasadën e Italisë.