Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti jep detaje për takimin me kryeministrin Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga takimi që kishte mbajtur dje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Tema e parë ka qenë siguria kibernetike dhe isha i interesuar të marrë vesh sa më shumë për përvojën tyre të fundit me sulmet. Tema e dytë ka qenë sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim dhe kemi diskutuar për situatën energjetike në përgjithësi” – tha Kurti.

Kurti tha se e kanë njoftuar njëri-tjetrin se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe Kosovë edhe në aspektin e politikave por edhe të kapaciteteve dhe efekteve sociale të krizës energjetike.

“E njoftova Ramën se jemi të parët në Ballkanin Perëndimor për shpërblimin për ata që kursejnë energjinë” – shtoi Kurti.

Sipas tij tema e tretë e takimit ishte rifillimi i procesit të Berlinit.

“Tema e tretë kanë qenë përgatitjet në dritën e rifillimit të procesit të Berlinit”- tha ai.

Dje, menjëherë pas konferencës për media të zhvilluar bashkë me ministrin Hekuran Murati dhe ministren Arbërie Nagavci, Kurti u nis për në Tiranë. Për këtë takim nuk kishte njoftim për media por në konferencë u tha se ishte një takim urgjent në Tiranë.