Kurti: Jemi të gatshëm që propozimi i BE-së, i mbështetur nga Franca e Gjermania të vendoset në tryezë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti teksa ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se ai është i gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve “një orë e më parë”.

Sipas Kurtit, tashmë është koha për hapa të mëdhenj në procesin e dialogut.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha e hapave të mëdhenj, andaj unë si kryeministër dhe Kosova si Republikë, jemi të gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë një orë e më parë” – ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për shtyrjen për 48 orë të vendimit për shqiptim të gjobave dhe duke thënë se kjo është bërë për t’i dhënë një mundësi arritjes së marrëveshjes që ishte afër të ndodhte në Brusksel.

“Ne kemi qenë të gatshëm ta suspendojmë fazën e dytë dhe Serbia të mos lëshoj targa dhe në këtë mënyrë ta dakordojmë hapësirën për një marrëveshje ligjërisht obligative deri në marsin 2023. Arsye pse kam shkuar nuk janë targat por marrëveshja, por ata hoqën dorë” – ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se palët ndodhen në këtë situatë sepse “pika e parë korniza e përgjithshme të marrëveshjes u braktis së bashku me propozimin e BE-së së mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.

Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se për gjashtë muaj mes Kosovës dhe Serbisë janë diskutuar tetë opsione.

Sipas tij, tetë opsionet janë refuzuar nga pala serbe.

“Kanë qenë 8 opsione të diskutuara për 6 muaj mes ekipeve tona, ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve, dhe kanë ardhur në përfundim se 8 modele janë të mundshme, dhe është kërkuar nga palët modelin e preferuar, ne i kemi preferuar 3 modele, ndërsa 5 do të ishin të papranueshme, por Serbia i ka kundërshtuar 8. Unë jam transparent, por konfidencialiteti është zotim, unë po ju informoj që ne kemi qenë të gatshëm, për ne ka qenë i rëndësishëm parimi i reciprocitetit” – ka thënë Kurti.

Takimi i së hënës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Në një prononcim për media, Borrell kishte thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.