Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Jemi duke përgatitur një masë për subvencione të energjisë për konsumatorët shtëpiakë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendi ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një masë që përmes subvencioneve të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike.

Kurti ka thënë se me ketë ndërhyrje në efiçiencë synohet që konsumatorët të ulin shpenzimet e të kursejnë xhepin e tyre.

“Ministria është duke e përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve, do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe te rastet që janë në nevojë, por s’janë të përfshirë në skemën sociale”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se është duke u bërë përpjekje të zgjerohet rrjeti i konsumatorëve vetëgjenerues përmes paneleve solare.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për gazsjellësin amerikan pas pyetjes së deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kosova është në krizë të rëndë energjetike, edhe pse ajo nuk vërehet në këtë muaj të verës. Situata e Kosovës është e rënduar së pari nga heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike me thëngjill, po ashtu nuk premtohet një e ardhme më e mirë pasi është hek dorë edhe prej gazsjellësit amerikan”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me ketë Kurti ka thëne se, projekti i gazsjellësit nuk do të ishte në funksion gjatë krizës energjetike që po kalon Evropa.

“Evropa është në krizë energjetike shkaku i vartësisë në termocentrale me gaz, projekti i gazsjellësit nuk do të ishte në funksion gjatë krizës energjetike që po kalon e gjithë Evropa. Njëri bllok i Kosovës është në remont të rregullt dhe pritet të përfundojë gjatë këtij muaji ndërsa blloku tjetër do të hyj në remont gjatë muajit gusht dhe do të zgjas rreth 25 ditë”, ka thënë Kurti.