Kurti: Jam kureshtar të di se cili prokuror e kërkoi arrestin shtëpiak të Pantiq dhe cili gjyqtar e aprovoi

Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së iu është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me lirimin e Pantiq nga paraburgimi për të cilin, ai tha se e ka statusin e të burgosurit dhe është i pandehur për terrorizëm.

Kurti tha se ka dëgjuar se Pantiq ishte në grevë urie dhe kishte probleme me zemër, sipas tij do mund të dërgohej në spital.

“Unë nuk e di çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. Ai e ka statusin e të burgosurit por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë kam dëgjuar se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme, a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori”- deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit u shpreh kureshtar të dijë se cili është prokurori që e ka bërë kërkesën për arrest shtëpiak dhe gjyqtari që e ka aprovuar të njëjtën.

“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – shtoi Kurti.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Dejan Pantiq lirohet nga paraburgimi

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK