Kurti: Jam i gatshëm për t'u takuar me Thaçin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që është i gatshëm të takohet me presidentin Hashim Thaçi për t’u dakorduar për politikën e jashtme.

Kurti ka treguar përpjekjen e tij për takimin me Thaçin përpara konferencës në Mynih, përpjekje e cila kishe dështuar për shkak që presidenti nuk ishte në Kosovë.

“Para se të shkojmë në konferencën e Mynihut unë jam përpjekur që ta takoj presidentin e Kosovës në mënyrë që të dakordohemi sa më shume dhe sa më mirë për politikën e jashtme edhe më teje jam i interesuar që të takohem me të e të diskutojmë në mënyrë që në politikën e jashtme të mos jemi kakofoni zërash që nga 3 shkurti Kosova ka qeveri të re”, tha ai.

Kryeministri Kurti në një konferencë për media, ka insistuar që dialogu do të udhëhiqet nga ai, po ka theksuar nevojën që të kenë një zë me presidentin për politikën e jashtme.

“Dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë e me parime por atë e udhëheqë unë si kryeministër i Kosovës. Unë vazhdoj të insistoj që duhet të jemi të njëzëri me presidentin në politikën e jashtme”, tha Kurti.

Kurti tha që marrëveshja me NATO-n për FSK në është jo kushtetuese.

“Ky shkëmbim i letrave midis ish-sekretarit dhe ish-kryeministrit sipas opinionit ligjor paraqet marrëveshje ndërkombëtare duke u bazuar në konventën e Vjenës, fshehja e marrëveshjes është shkelje flagrante”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak më parë publikoi një letërkëmbim mes Hashim Thaçit dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në vitin 2013 ku Thaçi i garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Dosja e marrëveshjeve sekrete të Hashim Thaçit që i ndalon FSK-së të shkojë në veri