Takimi Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Kurti: Jam i gatshëm për takim me Vuçiqin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri Kurti ia ka shprehur gatishmërinë Borrellit për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në takim u diskutua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke. Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njëjtë nga pala serbe”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Qeverisë së Kosovës.

Poshtu, Kurti citohet të ketë thënë që e mirëpret koordinimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kaluarën, kryeministri Kurti është takuar dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.