Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti ishte zotuar se në qeverinë e tij nuk do të ketë njerëz me aktakuza

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë në qeverinë e tij njerëz me aktakuza.

Kurti këtë deklaratë e kishte bërë në DebatPernime më 4 shkurt 2021.

“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza edhe pse më vjen keq për zyrtarin që e kam emëruar drejtor të zyrës për komunitete në ZKM Nenad Rashiq, i cili njëmend ka një aktakuzë. Por mos të harrojmë se prokuroria është pasive aty ku duhet më së shumti e është aktive aty ku s’ka prioritet realisht për drejtësinë”, kishte thënë Kurti.

Pasi ka marr detyrën si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pritet të përballet në gjykatë me një akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com raportoi se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Aliu më 23 mars ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni se akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nuk  e di. Jo [s’jam në dijeni]. Për herë të parë po e nij”, tha shkurt Liburn Aliu.

Liburn Aliu deklarohet rreth akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare