Kurti ironizon me ofertën e LDK-së për një ministri më shumë: Nuk dëgjova asgjë të re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e homologut të tij Isa Mustafa, i cili sot gjatë ditës deklaroi se LDK mund ta ofrojë një ministri më shumë, në këmbim të postit të presidentit.

“Nuk dëgjova asgjë të re”, tha Kurti për KALLXO.com kur u pyet se si e komenton ofertën e Mustafës për ndarjen e ministrive, 6 për LVV-në e 4 për LDK-në, ku presidenti do t’i takonte LDK-së.

Kurti u përgjigj njëjtë, “Se nuk dëgjova diçka të re”, edhe kur u pyet nëse kjo ofertë e LDK-së ka qenë edhe më herët në tavolinë të bisedimeve.

LDK dhe LVV ndonëse kanë zhvilluar me dhjetëra takime, nuk po arrijnë të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje për shkak të mospajtimeve për pozitën e Presidentit.

Sot është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Në këtë takim është biseduar lidhur me ecurinë e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e  mundshëm paszgjedhor.

 

Pjesëmarrës në këtë mbledhje janë parë figurat më të larta të partisë, si kryetari Isa Mustafa e nënkryetarët, Vjosa Osmani, Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Pas mbledhjes, gazetarëve u është drejtuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij tha se në mbledhjen e fundit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kanë diskutuar edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Mustafa tha se në këtë takim ka propozuar që nëse LVV zotohet ta mbështesë kandidatin e LDK-së për President, atëherë LDK është e gatshme të japë një nga 5 ministritë që i takojnë.

“Unë kam propozuar që nëse LVV zotohet të japë votat për kandidatin për President të propozuar nga LDK, atëherë ne do të heqim dorë nga njëra ministri që na takon. Pra, që LVV të ketë 6 ministri e LDK 4. Por unë nuk kam parë një gatishmëri nga Vetëvendosje për këtë gjë”, tha Isa Mustafa.