Kurti: Integrimi i Kosovës në NATO, aspiratë që do të realizohet me patjetër

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me komandantin e KFOR-it Gjeneral Major, Michele Risi, ka thënë që bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë.

“Në një atmosferë shumë miqësore u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë. Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Kurti ka theksuar edhe një herë që e ardhmja e Kosovës është në NATO.

“Ai vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen. Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë”, thuhet tutje.

Sipas komunikatës, komandanti i KFOR-it Michele Risi ka theksuar se NATO dhe KFOR vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sigurinë në Kosovë.

“Komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë”, thuhet tutje aty.

Sipas komunikatës, Komandanti i KFOR-it e ka njoftuar Kryeministrin se, nën mandatin e KFOR-it, dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, ‘po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore’.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it.

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një letërkëmbim mes Hashim Thaçit dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në vitin 2013 ku Thaçi i garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Uashingtoni nuk ka komentuar marrëveshjet e publikuara por vetëm ka shkruar se Kosova është e bekuar me miqësinë dhe aleancën strategjike që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anë tjetër Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë që pas transformimit të FSK-së në Ushtri më 9 janar 2019 i ka shkruar letër Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën ka kërkuar që të zhvleftësohet marrëveshja e vitit 2013.

Dosja e marrëveshjeve sekrete të Hashim Thaçit që i ndalon FSK-së të shkojë në veri