Albin Kurti - FOTO KALLXO

Kurti: Institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit për zgjedhjet e 14 shkurtit.

I pyetur nëse do të jetë i gatshëm që të mos jetë bartës i listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje, Kurti tha se ai është bartës i kësaj liste.

“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë. Institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, theksoi ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ish-ministrja e Drejtësisë nga kjo parti, Albulena Haxhiu janë në mesin e 47 personave të cilët kanë probleme me ligjin.

Kjo është konfirmuar sot nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, merr vesh KALLXO.com.

Sot gjatë ditës KGjK njoftoi se në 15 parti politike, nga 28 sa garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Gjithashtu, ky institucion i drejtësisë evidentoi 47 emra të kandidatëve nga 1 mijë e 80 sosh, aq sa i kanë hyrë garës për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në mesin e 47 personave të cilët kanë probleme me ligjin