Albin Kurti - FOTO KALLXO

Kurti: Ideja e ‘thikave mbi harta’ ende nuk ka vdekur

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me deklaratën e presidentit, Hashim Thaçi se nuk ka pasur ‘thikat mbi harta’.

Sipas tij, ideja e shkëmbimit territorial ekziston ende, pavarësisht se ka dështuar në takimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

“Shkëmbimi territorial dështoi, por kjo s’do të thotë që ideja ka vdekur. Se ka pasur thika mbi harta, e kanë vërtetuar vetë. Më 19 qershor, Richard Grenell në një intervistë tha se për shkëmbimin territorial ka dëgjuar nga ish-këshilltari për siguri, John Bolton, dhe tre muaj më herët Grenell tha se s’ka dëgjuar, ai e kundërshtoi veten, por e konfirmoi se Bolton ka qenë në çështjen e shkëmbimit territorial”, tha Kurti.

Kurti tha se me kundërshtimin e tij ka një zbrasje nga ndarja e Kosovës, duke shtuar se “projekti ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur”.

Pas, nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Kosovës,  Hashim Thaçi, tha se u pa që në Uashington s’pati ndarje të Kosovës, duke bërë thirrje që ‘ata që kanë spekuluar, duhet t’i kërkojnë falje popullit’.

“Sikur skena politike te ishte unike, e them se marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme, që do te hapte perspektivë më të madhe dhe nuk do t’i humbnim ato vite me gënjeshtra, akuza. U pa që s’ka pasur thika, harta, s’pati ndarje të Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Ky reagim i presidentit kishte ardhur, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh ish-kryeministri i vendit Albin Kurti kishte shprehur qëndrimet se ka pasur marrëveshje të gatshme Kosovë-Serbi “me thika mbi harta”.

Ndërkaq, vetë presidenti Thaçi në vitin 2018 kishe nisur proklamimin e idesë së tij për “korrigjim të kufirit”.

Thaçi për marrëveshjen e Uashingtonit: U pa që nuk pati thika e ndarje të Kosovës

.