Kurti i tregon tri ofertat që ua ofroi sindikalistëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se SBASHK-ut i ka ofruar që pakon për përballje me inflacionin ta paralajmërojnë bashkë.

Kurti tha se ka qenë i interesuar që si socialdemokrat t’i forcojë sindikatat.

Kurti shtoi se këtë ofertë nuk e kanë pranuar ndonëse pako sipas tij ishte e favorshme jo vetëm për sindikatën por për gjithë popullin.

Sipas kryeministrit, përveç pakos për përballje me inflacion kemi ofruar 3 gjëra shtesë.

“E para ishte që publikisht të dalim ta paralajmërojmë që pasnesër më 15 shtator del për diskutim publik Projektligji për paga, sepse është moment shumë i rëndësishëm kur projektligji del prej zyrave të kabinetit të Qeverisë në popull. Nuk u pranua” – tha Kurti.

Oferta e dytë sipas tij ishte 10 milionë euro shtesë për barna esenciale.

Ndërkaq, e treta ishte reforma e skemës pensionale.

“E treta po e diskutojmë bashkë reformën e skemës sociale e pensionale. Me çast kategorizimin drastik me pragun prej 15 vjet po e bëjmë të diferencuar dhe po e zvogëlojmë me krejt çfarë mundemi e dimë pabarazinë. Insistuam të kalohet paraprakisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës miratimi i reformës që bëhet me mbështetjen e Bankës Botërore” – tha Kurti.

Sipas Kurtit, nuk janë viktima krerët sindikal, as Qeveria, e as deputetët. Sipas tij viktimë janë nxënësit, mësimdhënësit, arsimi e ardhmja e shtetit.

“Këto tezat për viktimizime të individëve çfarë gjuhe u përdor, kush qysh u ofendua, a e dëgjove si i tha e qysh i tha, këto janë për zhvendosje të vëmendjes dhe mos adresim të çështjes”- tha Kurti.

Kurti ka përmendur edhe kohën kur u paralajmërua greva.

“Unë isha në negociata 5 orë me presidentin e Serbisë, e më 17 lajmi kryesor në Kosovë e jo vetëm ishte që në Kosovë fillon greva. E kishit një kryeministër i cili po negocionte me fqinjin tonë verior agresiv e dashakeq në një moment kur te shtëpia ishte paralajmëruar greva masive” – shtoi Kurti.