Takimi Thaci Kurti 1 prill 2020

Kurti i shkruan sërish letër Thaçit: Konsultimet me partitë nuk kanë bazë kushtetuese

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar  edhe një letër tjetër, presidentit Hashim Thaçi, pas takimit që këta të dy e mbajtën paraditen e së mërkurës.

Kurti në këtë letër, e ka falënderuar Thaçin për ritheksimin e tij disa herë gjatë takimit për gatishmërinë për respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe praktikës kushtetuese.

Kurti megjithatë,  ka shtuar qëndrimi tij është  se konsultime të tilla me parti politike nuk kanë bazë në asnjë dispozitë të Kushtetutës.

“Në lidhje me njoftimin tuaj se jeni duke kryer ‘konsultime’ me liderët e partive të tjera politike, nuk kam as kompetencën, as dëshirën që t’ju udhëzoj se si e organizoni agjendën tuaj ditore. Mirëpo, dëshiroj të potencoj qëndrimin tim se konsultime të tilla nuk kanë bazë në asnjë dispozitë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

“Po ashtu, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë time që të rrimë në kontakt lidhur me betejën tonë kundër virusit COVID-19, si dhe me detyrën tuaj për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës pas mocionit të mosbesimit”, thuhet në këtë letër.

Kurti ka theksuar se për çdo çështje tjetër jashtë këtyre dy temave komunikimi ndërinstitucional mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit të vazhdojë në formën e shkruar.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti para takimit të sotëm që u mbajt në orën 10:00, i dërgoi letër presidentit duke i thënë se, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, e vetmja rrugë përpara është shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Të njëjtat kërkesa, Kurti i potencoi edhe pas takimit me presidentin.

Kurse, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimeve me krerët e tri partive politike parlamentare sot, atë me Albin Kurtin e LVV-së, Isa Mustafën e LDK-së dhe Kadri Veselin e PDK-së, ka paralajmëruar edhe takimet për të enjten me përfaqësues të subjekteve të tjera parlamentare.

Në një adresim para mediave, Thaçi u zotua se nga këto procese do të ketë transparencë të plotë dhe respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe praktikave të mëhershme, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.