
Kurti i shkruan letër zv.presidentes së KE-së, e informon për shtypjen e shqiptarëve të Luginës nga regjimi serb
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar më 11.02.2025 se përmes një letre drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëhazi zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas, e ka informuar atë dhe ka denoncuar shtypjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga regjimi i Serbisë.
Sipas Kurtit, shkelja e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Luginës së Preshevës është e llojit politik, administrativ, ekonomik, kulturor e identitar, dhe kjo, sipas tij, rrezikon sigurinë dhe ekzistencën e shqiptarëve në Luginë.
Kurti, në një postim në profilin e tij në Facebook, thekson se zëvendëspresidenten e Komisionit Europian e ka informuar se mbi 10 për qind e qytetarëve shqiptarë janë fshirë nga listat e votuesve dhe nuk mund të ushtrojnë të drejtën themelore të votës.
“Shqiptarët në Serbi janë të papërfaqësuar në institucione publike e ato shëndetësore e juridike, nuk iu ofrohen shërbimet të cilat iu takojnë, iu mohohet arsimimi në gjuhën e tyre, nuk iu njihen diplomat e nuk kanë të drejta e as liri themelore. Spitali rajonal në Vranjë nga mbi 1000 punëtorë i ka veç dy shqiptarë e në Medvegjë nga rreth 2000 punonjës komunalë veç 12 janë shqiptarë.”- tha Kurti.
Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, sipas Kurtit, përkrahet nga shteti serb në atë pjesë. Ndërsa, sipas tij, s’ka integrim por terrorizim.
“I kanë ngritur bazat ushtarake në Bujanoc, e cila është edhe ndër më të mëdhatë në vend, si dhe i kanë vendosur 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, specifikisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Caktimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga qeveria serbe përbën gjithashtu një kërcënim të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke rrezikuar shpërnguljen masive dhe përsëritjen e traumave të së kaluarës”- potencoi Kurti.