Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti i replikon Haradinajt: Ktheja 200 hektarë tokë shtetit, ne po t’i japim 70 mijë euro

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, kanë replikuar njeri tjetrin gjatë debatit parlamentar për ligjin për pagat.

Haradinaj, i tha kryeministri Kurti se po i pëlqen që po u mbanë ligjërata por ligjëratat nuk i zgjedhin problemet.

“Po më pëlqen që po na mban nganjëherë ligjërata këtu, por ju siguroj që shumica e këtyre ligjëratave janë edukuese edhe mua më ndihmojnë nganjëherë, mirëpo nuk po i zgjidhin temat e problemet. Ata që janë mjek, polic, mësues, kushdo qofshin në administratë ata 5 pare s’i japin çfarë ligjërata më jep ti mua. Ata të presin ty a e ke prioritet këtë ligj, çfarë dinamike ke me i ndreq krejt këto të këqijat e ligjit që i paskan bo këta keq edhe kur ke me ua jep ligjin, a ke me i rrit rrogat”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu i tha Kurit që t’i dërgoj në KEK ministrat dhe t’ua vendos një tendë aty.

“Qoj ministrat deri në KEK, vendosja një tendë në KEK le të mërdhihen”, tha ai.

Pas kësaj deklarate Kurti i ka replikuar Haradinajt, duke ia përmendur blerjen e tokave.

“Meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i qoj te KEK-u, që të mërdhihen, unë e kam një kundërpropozim. Deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet 200 hektarë tokë edhe ne po ia japim 70 mijë euro”, tha Kurti.

Sipas Kurtit ata që po i kritikojnë e kundërshtojnë në thelb e duan ligjin e vjetër, por tha se ai ligj nuk realizohet.

“Jeni vonuar se jeni nxitu mos të nguteshit ju nuk do të ndodheshim në këtë gjendje. Ngutia juaj na ka sjellë në këtë situatë. Nëpërmjet urgjencës ju e keni dëmtu rëndësinë. Ne e trajtojmë me rëndësi dhe urgjencë përgatitjen për të, jo sjellje shkel e shko për një miratim ad hoc. Qytetarët kanë shpresa të mëdha te ne, kjo është përgjegjësi e jona dhe ky nuk do të duhej të ishte problem i juaji. Shpresat që i kanë qytetarët te ne e tek unë, lërmëni mua si problem, nuk ka nevojë të ma bartni gajlen se kush po zhgënjehet me zotimet e mia”, tha Kurti.

“Pronarët e mëdhenj kanë hall pagat e zjarrfikësve. Pronarët e mëdhenj të qindra hektarëve thonë me i rrit nja 5 për qind rrogat e zjarrfikësve. Ata të sistemit feudal begler e agallar, këqyrin argatët e shërbëtorët me u rrit pak pagën”, tha Kurti.

Sipas Kurtit këta pronar të mëdhenj të tokave që kanë hallin për pagat e shërbyesve civil nuk janë të sinqertë e as serioz.