Kurti i reagon gjyqësorit: Efikasitetin po e dëshmojnë atëherë kur kanë interesin e vet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Gjykatës për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Kurti ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët për vetveten janë efikas për dallim nga lëndët e pallatit të drejtësisë që sipas tij nuk trajtohen as me kohë e as siç duhet.

“Më duhet të konstatoj me keqardhje se që kur vjen puna për vetvete, po dalin të jenë shumë efikas për dallim nga lëndët e pluhurosura në sirtarët e pallatit të drejtësisë e të cilat lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë as siç duhet. Pra është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po e dëshmojnë atëherë kur kanë interes vet, interes të ngushtë”- ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se pagat në sektorin publik do të rregullohen me Ligjin për paga dhe atë për zyrtatët publikë.

“Pagat në sektorin publik do të rregullohen me dy ligjet e reja që kanë shkuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për lexim të parë. Ligji për paga dhe për zyrtarë publikë. Andaj është e domosdoshme të gjithë të përqendrohemi te këto dy ligje dhe mos të kërkoj askush zgjidhje të privilegjuar”- ka thënë tutje ai.

Kryeministri Kurti është shprehur që sipas bindjes së tij çështja e grevës së gjyqësorit ka ardhur pasi ata janë mësuar me privilegje.

“Bindja ime e fuqishme nga ajo çfarë po ndodhë këto ditë me grevën e gjyqtarëve dhe prokurorëve është se kur njerëzit mësohen me privilegje, heqja e tyre u duke padrejtësi. Por kjo nuk do të thotë që ajo është padrejtësi. Do të thotë që privilegjet kanë qenë të padrejta”- ka deklaruar Kurti.

Gjykata e Prishtinës sot ka vendosur që të pezollojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve kundër Qeverisë, ka vendosur që të caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së Prokurorëve për caktim të masës së sigurisë si të pabazuar dhe me këtë vendim ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.