Foto: KALLXO.com
Kurti i quan armiqësore veprimet e fundit të qeverisë serbe në raport me Kosovën
Veprimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, kryeministri i Kosovës i ka quajtur veprime armiqësore e agresive ndaj Kushtetutës, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Qeveria e Serbisë një ditë më parë ka miratuar projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale. Ndër tjera, nga qeveria serbe është miratuar edhe projektligji për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
“Kjo është në të njëjtën kohë edhe sulm ndaj Marrëveshjes Bazike për të cilën Serbia e dimë që ka dërguar një letër me të cilën tërhiqet prej saj, sepse thotë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”- tha Kurti në konferencë për media më 29.10.2024.
Në lidhje me këto veprime, Kurti tha se duhet të pyeten miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Të gjithë e dimë çka thotë populli i Kosovës, çka thotë ministri i Kosovës e çka them unë. Por unë kërkoj që në këtë pyetje të përgjigjen me saktësi e drejtësi faktorët ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar aq shumë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojnë të na mbështesin sepse Kosova si republikë në të cilën kanë kontribuuar ata, po sulmohet nga fqinji ynë verior.
Ky vendim i qeverisë së Serbisë vjen pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në shtator, i cili, duke prezantuar të ashtuquajturat “masa dhe kërkesa” për Kosovën, deklaroi se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në “persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Gjatë adresimit të tij më 13 shtator, Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Autoritetet e Kosovës gjatë këtij viti ka mbyllur disa objekte ku kanë funksionuar strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Më 30.10.2024, Policia e Kosovës ka mbyllur komunat paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.