Kurti i përgjigjet Thaçit për zyrën e kryeministrit: Ai dëshirat e tij i përshkruan si fakte

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas vizitës në Qendrën e Studentëve që po shërben si karantinë ka komentuar deklaratën e Presidentit që e ka akuzuar për   uzurpim të zyrës së kryeminstrit duke thënë se Kurti  “po sillet si i paligjshëm në skenën politike”.

“Thaçi dëshirat e tij i shkruan si fakte të mijat, unë jam kryeministër në detyrë dhe nuk bërët fjalë për asnjë përshkrim që e ka bërë ai”, tha Kurti.

Ai ka shtuar  se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta bëjnë interpretimin e Kushtetutës dhe jo shkrimin apo ndryshimin e saj.

“Ne duhet ta presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të flasim. Pres nga Gjykata një aktgjykim në përputhje me nenin 112, që ta bëjë interpretimin e saj dhe jo shkrimin. As presidenti as kryeministri as gjykata nuk mund ta shkruajnë Kushtetutën, por ta zbatojnë  dhe gjykata ta interpretojë. Ndryshim të Kushtetutës mund të bëjë parlamenti përmes një amadamentimi dhe askush tjetër”, tha Kurti para mediave.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Mocioni është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës – pasi Kurti ka shkarkuar një nga ministrat e saj.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, më 30 prill, e ka dekretuar Avduallah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të ri të vendit.

Të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendsje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e këtij vendimi të presidentit Thaçi.

Gjykata Kushtetuese, më 1 maj, ka vendosur masën e përkohshme për pezullim të zbatimit të këtij dekreti deri më 29 maj, derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Më 19 maj, Gjykata Kushtetuese, përmes një komunikate, ka dënuar ashpër, siç ka thënë, “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”, duke e konsideruar si ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.