Kurti i përgjigjet Sekretarit amerikan të Shtetit: Mezi pres të punojmë së bashku

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mirëpritur letrën nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sot gjatë ditës, Blinken tha se presin bashkëpunim me Kurtin për ta zbatuar plotësisht “agjendën e Presidentit Biden”.

Në anën tjetër, shefi i ekzekutivit kosovar ka mirëpritur mbështetjen dhe ka thënë se mezi pret të punojë së bashku.

“Unë e mirëpres letrën e Sekretarit Blinken dhe mbështetjen e tij për prioritetet tona në punësim dhe drejtësi. Kosova i është mirënjohëse SHBA-së për përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit në letrën e tij përmendi edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i shkruan kryeministrit Kurti

www.kallxo.com