Kuvendi i Kosovës, 24 mars 2022/ Foto: KALLXO.com

Kurti i përgjigjet Haradinajt: Duart i kemi me baltë, por ndërgjegjen e kemi të pastër

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti ta sqaroj një thënie të cilën Kurti e tha në fjalimin paraprak “E bëjë minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit”.

“Pse kur të tjerët jetojnë në realitet me minimum për me nxjerr maksimumin para jush është tradhti kombëtare, e pse në rastin e juaj kur ndodh kjo është e drejtë?”, ishte pyetja e Haradinajt karshi kryeministrit Kurti.

E kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ka qenë dëmtim i madh i sistemit elektroenergjetik në Kosovë dhe i perspektivës së Kosovës privatizimi i shpërndarjes dhe i furnizimit.

“Unë nuk do ta kisha bërë kurrë. Po tash nuk kam qare pa komuniku e bashkëpunuar me ta. Se mund të bëhet edhe më keq”, tha Kurti.

Kurti tha se e kanë të trashëguar këtë gjendje dhe se po e bëjnë më të mirën e mundshme.

“Duart i kemi me baltë se Kosovën e kemi gjet në baltë. Po ndërgjegjen e kemi të pastër”, tha Kurti.

Më 21 qershor, në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Energjinë mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje është komentuar shumë në opinion dhe sot në Kuvendin e Kosovës. Sipas opozitës, marrëveshja e nënshkruar dje, nuk ka dallim nga marrëveshja paraparake e nënshkruar në kohën e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë