
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti/ Foto: ZKM
Kurti i përgjigjet ambasadorit Hill: Askush s’duhet të ndihet i turpshëm për bombardimet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, për luftërat e viteve ’90 dhe sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe.
Hill duke kujtuar atë periudhë theksoi se kur diplomacia dështon rezultatet mund të jenë tragjike, gjersa duke përmendur fushatën ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe ka thënë se populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme.
Në një organizim për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, sipas një komunikate për media, Kurti ka deklaruar se askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd.
“Askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni”- është shprehur kryeministri.
Dita e 24 marsit e vitit 1999 kujtohet nga qytetarët e Kosovës si datë e rëndësishme historike sepse në këtë datë nisën sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë, të cilat zgjatën 78 ditë dhe sollën fundin e sundimit serb në Kosovë.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan për 78 ditë, deri në arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës, dhe hyrjes më 12 qershor 1999 të forcave të NATO-s në Kosovë.
Fjala e plotë e kryeministrit:
E nderuara Presidente e Republikës znj. Vjosa Osmani Sadriu
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Deputetë të Parlamentit,
Të nderuar Ambasadorë, Zëvendës Ambasadorë, Chargé d’affaires të ngarkuar me Punë, Shefa të Misioneve e diplomatë të tjerë,
Të dashur kolegë e kolege,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se vini në këtë pritje me rastin e 24-vjetorit të 24 marsit 1999 – ditës kur të 19 shtetet anëtare demokratike të NATO-s vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht kundër forcave të armatosura të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, të cilat kishin filluar ta ekzekutonin projektin e tyre gjenocidal të shfarosjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, të quajtur “Patkoi”.
Aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes.
Në këtë ditë falënderojmë çdo vendanëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit tonë.
24 vjet më parë në këtë ditë unë vetë u mbusha 24 vjeç, që është gjysma e jetës sime sot. E sa herë që në burg më pyesnin për datën e lindjes, përgjigja ime nuk ishte menjëherë e besueshme dhe supozohej se ishte një provokim. Prandaj, unë festoj në një mënyrë të dyfishtë që atëherë.
Ndryshe nga Iniciativa Rajonale e Ballkanit të Hapur, stafi im më pat propozuar Iniciativën e Ballkonit të Hapur me miqtë, të cilën e përqafova me gjithë zemër. Ndaj ju mirëpresim sërish, në nismën më të re: Ballkoni i hapur.
Sigurisht jo vetëm për këtë iniciativë dhe për këtë mot të këndshëm që po na shoqëron sot, dua të falënderoj stafin tim, për punën e përditshme të palodhur që bëjnë dhe për dy vitet e performancës së mirë që dhanë.
Të dashur miq ndërkombëtarë,
Askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!