Kurti i kundërpërgjigjet Bernabiqit për mohimin e gjenocidit në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq, e cila në Samitin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid gjatë luftës në vitin 1999.
Kurti deklaratën e Bernabiq e ka quajtur “e pavërtetë e padurueshme” duke përmendur varrezat masive në Serbi.
“Çfarë ka thënë ajo pa dyshim është një zvogëlim, deformim, e pavërtetë e padurueshme. Veç në Batajnicë janë zhvarrosur 744 kufoma të shqiptarëve, veç në një varrezë masive. Në Serbi gjithsej në varreza masive janë zhvarrosur 950 shqiptarë. Ndoshta e ka pasur fjalën për këtë”, ka thënë Kurti.
Kurti tutje tha se në Batajnicë është poligon i qitjes për ushtrinë dhe policinë serbe ku nuk ka asnjë pllakë që thotë se këtu janë zhvarrosur 744 kufoma nga Kosova.
“Në Batajnicë sot është poligon i qitjes për ushtrinë dhe policinë serbe, nuk ka asnjë pllakë që thotë se këtu janë zhvarrosur 744 kufoma nga Kosova, që janë vrarë në Kosovë. Për më tepër në të njëjtin poligon presidenti serb ka mirëpritur ardhjen e armatimin nga Kina dhe Rusia”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Kryeministri Kurti më tej ka thënë se homologia e tij, Bernabiq ka tendencë të thotë që kanë ndodhur shumë më pak krime.
Ai thotë se një qasje të njëjtë të Beorgadit është parë edhe në raport më masakrën e Srebenicës që sipas tij, Serbia nuk e mohon por thonë që nuk është numër i saktë i të vrarëve.
“E kam vërejtur që kryeministrja e Serbisë ka tendencë të thotë se kanë ndodhur krime, por shumë më pak. Ajo e kupton që është pozicion i pambrojtur nëse thotë se në Kosovë nuk ka ndodhur krimi”, ka shtuar Kurti.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq, në Forumin e Prespës për Dialog, për viktimat e luftës në Kosovë, është shprehur se numrat që përmenden vazhdimisht nuk ekzistojnë, sepse sipas saj, krimet nuk kanë ndodhur.
“Në Kosovë nuk ka ndodhur gjenocid. Nuk ka asnjë dënim apo rast që lidhet me këtë gjë. Territori i Kosovës dhe Metohisë deri sot është një prej territoreve post konflikti me më së paku persona të kthyer nga gjithë zonat e pas luftës në botë. Në vitin 2014 kishte një masakër. U rrënuan kisha e manastire, u vranë 8 serbë dhe janë dëbuar thuajse gjithë serbët nga territori i jugut të Ibrit, është bërë pastrim etnik i qyteteve. Prishtina, Gjilani, Gjakova dhe të tjerë”, ka thënë Bernabiq.