Kurti i komenton 2 takimet e 3 ditëve të fundit në Bruksel: Ka dallime të mëdha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur për dy takimet brenda 3 ditëve të fundit në Bruksel thotë se ka një dallim i madh në mes të takimit të 21 nëntorit, në të cilin u takua ai me presidentin e Serbisë, Vuçiq dhe ky i datës 23 nëntor ku u takuan Bislimi e Petkovqit.

Kurti tha se të hënën i është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë dhe sipas tij nuk i referohej propozimit franko-gjerman.

“Të hënën në mbërmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe të Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman ose të BE, përveç çështjes së targave. Te çështja e këtij propozimi, pra nuk thuhet propozimi por thuhet po zgjidhet cështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman”- tha Kurti.

Ndërkaq për dakordimin e mbrëmshëm, Kurti thotë se teksti përmban 194 fjalë duke shtuar se ajo se çka ka ndodhur mbrëmë është se Borrelli ka ndryshuar deklaratë, kurse qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim .

“Ndërsa kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit, janë krejtësisht të ndryshme. Ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin. Nuk është marrëveshje, është dakordim. Mbrëmë u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë” – tha kryeministri Kurti.

“Ne arritëm të zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrell por, theksojmë ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman. Pra kur të kryhet ky negocim, skadon edhe afati i këtij dakordimi,”- shtoi Kurti.

Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se në takimin e së hënës, insistimi më i madh ishte se në dakordimin që do bëhej deklaratë e Borrellit, të jetë edhe asociacioni.

“Kur unë kam qenë gjatë bisedimeve të hënën insistimi më i madh që në dakordimin që do bëhej deklaratë e Borrellit, të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ata e shohin asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit. Është dallim i madh ndërmjet të hënës dhe të mërkurës”- shpjegoi Kurti.

Kosova dhe Serbia mbrëmë kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave.

Marrëveshja u arrit pas takimit të kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Perkoviç me ndërmjetësimin e emisaritë të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Sipas marrëveshjes, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.