Kurti i kërkon Presidentes së Komisionit Europian Von der Leyen heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të shtunën më 26.10.2024.
Në komunikatë thuhet se gjatë takimit kryeministri Kurti ka kërkuar largimin e plotë dhe të menjëhershëm të masave ndaj Kosovës dhe marrjen e statusit kandidat të Bashkimit Europian.
“Në këtë takim, kryeministri ritheksoi rëndësinë e largimit të plotë dhe të menjëhershëm të masave ndaj Kosovës dhe marrjen e statusit kandidat të Bashkimit Evropian, si meritë që reflektohet në angazhimin e palëkundur të Kosovës për integrim evropian dhe reforma, dhe zhvillimin ekonomik e progresin demokratik që ka shënuar viteve të fundit” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Siç njofton ZKM, Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij presidentes von der Leyen për përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, për çka sipas tyre, dëshmohet nga vizitat e shpeshta gjatë udhëheqjes së saj dhe avokimit të zëshëm për integrim të plotë të rajonit në BE.
“Urime për mandatin tuaj të ri. Ne llogarisim shumë në udhëheqjen tuaj, si në zgjerimin e Bashkimit Evropian ashtu edhe në fuqizimin e tij në skenën botërore”- citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimit me von der Leyen.
Sipas ZKM-së, kryeministri është shprehur se Kosova është e gatshme që sa më parë të zbatojë reformat dhe të përfitojë sa më shumë nga mbështetja financiare në dispozicion që arrin vlerën pre 882 milionë euro.